Qëlloi me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses, arrestohet 37-vjeçari në Roskovec (EMRI)
Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, në fshatin Luar.
Sipas Policisë, pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, organizuan veprimet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Besmir (Erjon) Mustaj, 37 vjeç, banues në Roskovec.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ai ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta, përpara banesës së ish-bashkëjetueses së tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.




