Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri përpara banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, në fshatin Luar të Roskovecit.

Në pranga ka rënë shtetasi B. M., 37 vjeç, banues në Roskovec, i cili, sipas policisë, ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta.

Pas marrjes së njoftimit për të shtënat, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, organizuan një operacion për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë 37-vjeçarin.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb