Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pasi ‘Koalicioni Shqiptar’ arriti të fitojë 2 mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti fitoren e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke e cilësuar atë si një fitore të bashkimit, dinjitetit dhe përfaqësimit politik.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit theksoi se ky rezultat duhet të përkthehet në më shumë të drejta për shqiptarët dhe në dhënien fund të diskriminimit ndaj tyre.

“Fitorja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është fitore e bashkimit, dinjitetit dhe përfaqësimit politik”, shkruan Begaj.

Presidenti e vendosi theksin te hapat që duhet të pasojnë këtë fitore, duke kërkuar që rezultati të sjellë përmirësime konkrete në respektimin e të drejtave dhe garantimin e barazisë.

“Tani ky rezultat duhet të kthehet në më shumë të drejta, barazi dhe fund të diskriminimit. Shumë urime!”, përfundoi mesazhin kreu i shtetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:19
Shqiptarët fitojnë 2 mandate në Parlamentin e Serbisë! Presidentja e Kosovës uron Kamberin dhe Mehmetin: Forca qëndron te bashkimi

Dy mandate në Parlamentin e Serbisë janë fituar nga Koalicioni Shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Deputetët e zgjedhur janë Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti, të cilët kanë marrë edhe urimin e presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Përmes një mesazhi të publikuar nga Presidenca e Kosovës, Shiroka-Pula thekson se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës treguan se bashkimi politik dhe përkushtimi i përbashkët sjellin rezultate.

Presidentja shprehu gjithashtu shpresën që dy mandatet të sjellin përfaqësim më të fuqishëm, mbrojtje më të mirë të të drejtave të shqiptarëve dhe zhvillim ekonomik.

Mesazhi i plotë i presidentes:

“Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me dy mandate të fituara në Kuvendin e Serbisë, dëshmuan se bashkimi politik, besimi i qytetarëve dhe përkushtimi i përbashkët sjellin rezultat.

Urime të sinqerta deputetëve: Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti. Kjo fitore është e juaja dhe e gjithë shqiptarëve. Qoftë ky rezultat fillimi i një përfaqësimi më të fuqishëm, i mbrojtjes më efektive të të drejtave, i zhvillimit ekonomik dhe i respektimit të plotë të dinjitetit kombëtar. Vazhdoni me të njëjtin unitet edhe në mandatin që keni fituar, sepse forca e vërtetë qëndron te bashkimi”.