Aktori i njohur i dublimit Eric Bauza, i cili u dha zë personazheve të famshëm të filmave vizatimorë Bugs Bunny, Daffy Duck dhe Porky Pig, ka ndërruar jetë papritur në moshën 46-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes një deklarate të publikuar në Instagram, ku njoftohej se artisti kishte vdekur papritur. Sipas revistës Variety, shkaku i vdekjes ishte sëmundja kardiovaskulare hipertensive, ndërsa Bauza u gjet i vdekur në banesën e tij të dielën.

Bauza ishte një prej zërave më të njohur të animacionit, duke vijuar traditën e personazheve ikonë të studios Looney Tunes. Gjatë karrierës së tij, ai interpretoi gjithashtu personazhe si Elmer Fudd, Foghorn Leghorn dhe Road Runner, duke fituar simpatinë e publikut në mbarë botën.

Në filmin Space Jam: A Neu Legacy, të publikuar në vitin 2021, ai u dha zë Daffy Duck, Porky Pig, Elmer Fudd dhe Foghorn Leghorn. Më pas, ai interpretoi disa personazhe në filmin e animuar Coyote vs. Acme, si dhe u shfaq në produksionin e fundit Forgotten Island.

Aktori ishte pjesë edhe e filmit The Super Mario Bros. Movie, të vitit 2023, ku interpretoi personazhin Toad General, si dhe në vazhdimin The Super Mario Galaxy Movie.

I lindur në Ontario të Kanadasë, me origjinë filipinase, Bauza kishte treguar në një intervistë për NBC në vitin 2021 se ishte rritur duke admiruar personazhet e Looney Tunes dhe se, që fëmijë, përpiqej të imitonte zërat e tyre.

“Looney Tunes i kapërcen të gjitha gjuhët dhe kulturat. Nuk ka rëndësi se nga cila pjesë e planetit vjen. Komedinë e kupton kushdo”, ishte shprehur ai.

Talenti i tij u vlerësua edhe nga industria e televizionit, ku gjatë periudhës 2022–2025 fitoi tre çmime Emmy për interpretimin e jashtëzakonshëm të personazheve me zë në disa seriale televizive.

Channing Dungey, drejtues i Uarner Bros. Television Group dhe rrjeteve televizive amerikane, e përshkroi Bauzën si një talent të veçantë, që solli gëzim dhe të qeshura për miliona njerëz në mbarë botën.

Ai theksoi gjithashtu se Bauza kishte ndjekur gjurmët e legjendës Mel Blanc, zëri historik i shumë personazheve të Looney Tunes, duke e konsideruar ruajtjen e kësaj trashëgimie si një nga nderet më të mëdha të jetës së tij.

Vdekja e Eric Bauzës shënon një humbje të rëndësishme për botën e animacionit dhe për miliona fansa që u rritën me personazhet e dashura të filmave vizatimorë, të cilëve ai u dha jetë përmes zërit të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb