Policia arrestoi Besmir (Erjon) Mustajn, pasi dyshohet se qëlloi me armë zjarri në fshatin Luar, para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij. Ai do të përballet me disa akuza penale.
Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses së tij, në fshatin Luar.
Në pranga ka rënë Besmir (Erjon) Mustaj, banues në Roskovec, pas një operacioni të zhvilluar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier.
Sipas njoftimit të policisë, uniformat blu u vunë në lëvizje pas raportimit për të shtëna me armë zjarri në fshatin Luar. Pas veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i 37-vjeçarit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa i arrestuari ka qëlluar me armë zjarri para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij.
Tri akuza penale ndaj 37-vjeçarit
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale:
– “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
– “Dhuna në familje”;
– “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

