I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv kam qenë gazetari Mentor Kikia. Ai gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri tha se masat e reja shtesë të Ramës, janë tipike udhëheqësish të cilët kur janë në vështirësi, zgjidhjen përpiqen ta gjejnë gjithmonë tek shtrëngimi i masave, pasi refuzojnë të kthejnë kokën për të parë nga vetja.
Flavio Qarri: Si i shikuat deklaratat e Kryeministrit, janë kërcënime apo kënga e tij që fishkëllen në pyll nga frika e ujkut apo çfarë. Apo implementim diktature sade.
Mentor Kikia: Janë tipike udhëheqësish të cilët kur janë në vështirësi, zgjidhjen përpiqen ta gjejnë gjithmonë tek shtrëngimi i masave, pasi refuzojnë të kthejnë kokën për të parë nga vetja. Në mënyrë sistematike që nga dita e parë e protestës, ditën e parë të qershorit në bulevard, gjithmonë zgjidhja ishte neglizhimi, përqeshja, bullizimi, përbuzja , tallja me ata që protestonin duke i quajtur agjentë, grekë, serbë, rusë, iranianë, duke u tallur me ta. Pastaj kalohej në bullizime masive. Jo janë kaq pak. Jo janë sa krushqit e dasmës së xhaxhait tim. Histori të tilla që bënin gjithçka por vetëm nuk çonin apo nuk tregonin një përpjekje për ta parë përgjegjësinë tek vetja.
Agravimi i situatës me protestën dhe ndryshimi i metodologjisë, me protestat agresive të të rinjve, sërish nuk bëri ndryshim në mënyrën se si po i trajton qeveria protestat, por sërish u shkua tek zgjidhja klasike, ajo e forcimit të masave.
Në një këndvështrim të parë kjo. Pastaj, sa ato masa janë ligjore, sa janë ekstra ligjore, sa janë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut, sa janë të zbatueshme, sa janë të referuar duke u përpjekur të heqin paralelele ndërmjet Italisë dhe Francës. Na ka gjetur të treve i njëjti hall dhe do të zgjidhim të tre ketë punë duke marrë masa të forta, duke ndëshkuar. Kjo është një gjë që duhet parë rrugës. Por gjithsesi parimisht unë mendoj që dëmi ndaj pronës publike dhe private është i ndaluar. Kam qenë që ditën e parë që dhuna ndaj pronës përveçse është e kundraligjshme nuk i bën mirë as protestës në tërsi dhe kazus së saj. Megjithatë dëmtimi i pronës ndëshkohet edhe sot me ligj. Nuk ka nevojë të bëhen ndryshme ekstra, pasi nëse unë shkoj dhe i thyej derën e shtëpisë dikujt, nëse unë i djeg dyqanin dikujt, nëse i djeg makinën dikujt, automatikisht arrestohesh dhe del para gjyqit për dëmtim të pasurisë. Është e parashikuar në ligj.
Pastaj masat e tjera më duken përpjekje për të krijuar një lloj klime paniku në tersi në mesin e qytetarëve.
© SYRI.net