Aktualitet Sociale

Bashkia e Tiranës shpall 1500 fituesit për kredi të buta!

Bashkia e Tiranës shpalli rreth 1500 fituesit e radhës nga aplikimet për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, mundësi e rëndësishme për familjet që synojnë të blejnë banesë në kryeqytet.

Aplikuesve të shpallur fitues do t’u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Lista u dërgua për miratim në mbledhjen e muajit tetor të Këshillit Bashkiak.

Programi për subvencionimin e interesave të kredive synon të lehtësojë barrën financiare për individët dhe familjet me të ardhura të ulëta, duke subvencionuar një pjesë të interesit të kredisë për blerjen e një banese.

Përmes këtij mekanizmi, përfituesit kanë mundësi të sigurojnë një shtëpi me kushte më të favorshme financiare, ndërsa kredia shlyhet me një normë interesi prej 3%, sipas kushteve të programit.

Pas miratimit të listës nga Këshilli Bashkiak, fituesit duhet të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë me të cilat Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje, për të vijuar procedurat e përfitimit të kredisë së butë për blerjen e banesës.

Vlera e kredisë që përfiton çdo aplikues përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të programit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.