Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin e marrë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme për përfaqësimin e tyre politik.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi vendimin e subjekteve politike shqiptare për t’u bashkuar në një koalicion të vetëm, i cili, sipas rezultateve paraprake, ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë. Mundësia për fitimin e një mandati të tretë mbetet ende e hapur.
Sipas kreut të PD-së, rezultati dëshmon rëndësinë e bashkimit politik për fuqizimin e përfaqësimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Ky rezultat është një dëshmi e rëndësishme e fuqisë së bashkimit dhe e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shkroi Berisha, duke u përcjellë urimet dhe dëshirat për sukses përfaqësuesve shqiptarë.