Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës Kosovën, ku një 49-vjeçare nga Peja u vra në banesën e saj.
Viktima është identifikuar si Arlinda Zekaj dhe mësohet se ajo e kishte raportuar një rast të dhunës në familje vetëm pak orë para se të gjendej e vdekur, ndërsa i dyshuari për vrasjen, kunati i saj, vijon të jetë në arrati, sipas raportimeve të mediave kosovare.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 19:00 të së dielës, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në Vitomiricë. Gruaja ishte shoqëruar në stacion, ku ishte intervistuar nga zyrtarët policorë. Edhe bashkëshorti i saj ishte intervistuar dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë.
Policia bëri të ditur se viktima ishte dërguar me dëshirën e saj në shtëpi. Rreth orës 21:10, autoritetet morën njoftimin se ajo ishte gjetur pa shenja jete.
Sipas të dhënave fillestare të Policisë, dyshohet se vdekja është shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe lokalizimin e të dyshuarit.












