Një 23-vjeçar në Korçë, i cili duhej të qëndronte në arrest shtëpie, është kapur nga policia pas disa orësh ndjekjeje, pasi dyshohet se plagosi me thikë një 19-vjeçar gjatë një konflikti.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, ku i riu, i identifikuar me inicialet R. I., dyshohet se goditi me thikë në këmbë 19-vjeçarin M. A. Ky i fundit po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në banesën e 23-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi thikën që dyshohet se u përdor në konflikt, një sasi lënde narkotike kanabis dhe një objekt në formë pistolete.
Nga verifikimet rezultoi se i riu ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.












