Gjykata Penale ka vendosur lirimin e tre protestuesve të ndaluar gjatë tubimeve studentore kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Për Rezart Vozgën dhe Jurgen Rizaijn, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, pasi ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre.
Ndryshe është vendosur për protestuesin e tretë, për të cilin gjykata ka konstatuar se ndalimi ishte i paligjshëm. Për këtë arsye, ajo ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij, pa caktuar masë sigurie.
Vendimet vijnë në ditën e 14-të të protestave studentore, të cilat janë shoqëruar me përplasje me policinë dhe ndalime të pjesëmarrësve.
Studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, ndërhyrjet e policisë dhe ndalimet gjatë protestave kanë nxitur reagime dhe kritika lidhur me respektimin e të drejtave të protestuesve.