Në Korçë vijon prerja e pishave shumëvjeçare në parkun pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ka nisur puna për ndërtimin e Liceut Francez. Pedagogu Pirro Içka paralajmëron për pasojat mjedisore të betonizimit.

“Në mjedis ndikon prerja e çdo bime. Kishim një park të gjelbëruar për hijezim dhe për mbrojtjen e tokës nga erozioni. Betonizimi do të sjellë probleme, do të sjellë përmbytje në qytet. Këtë sasi uji që thithte toka, nuk do të ketë më mundësi ta thithë. Këtu ka pemë 50-vjeçare dhe më të vjetra. Një pemë që kërkon kaq vite për t’u rritur, pritet për gjysmë ore për një projekt që nuk dihet ende se çfarë do të jetë”, thotë Pirro Içka.

Ai i kërkon Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, të sqarojë se çfarë do të bëhet me Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

“Foli ministrja në monolog për Liceun Francez dhe nuk tha se çfarë do të bëhet me fakultetin. Ku do të shkojë, apo kanë ndërmend ta mbyllin? Po shkatërrojnë një universitet për të hapur një lice”, vijoi Içka.

Pak ditë më parë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se qeveria ka miratuar projektligjin për Liceun Francez dhe së shpejti do të kalojë në komisionet parlamentare. Shkolla do të ofrojë diplomë te mesme të përbashkët shqiptaro-franceze, me orientim shkencor dhe teknologjik.

Ndërkohë, prerja e pishave po kryhet perreth fakultetit, ku parashikohet ndërtimi i dy godinave të reja për liceun francez. Projekti pritet të përfundojë brenda 18 muajve dhe do të kushtojë 522 milionë lekë, financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ndërsa pak metra më tutje gjendet, Poli i Dijes, inauguruar pak muaj më parë, dhe godina historike e ish-sanatoriumit, e cila gjendet në rikonstruksion.