Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u ka dërguar një shkresë urgjente komisariateve të kryeqytetit dhe Komisariatit të Krujës, ku kërkon marrjen e masave për respektimin e të drejtave të të miturve të shoqëruar gjatë protestave të studentëve.
Në dokumentin e firmosur nga zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, kryekomisar Edmond Meshini, kërkohet që çdo punonjës policie të mbajë numër identifikues të dukshëm gjatë detyrës, si dhe të sigurohet identifikimi i automatizuar gjatë çdo operacioni.
Shkresa kërkon gjithashtu marrjen e masave urgjente për menaxhimin e rasteve me të mitur, në bashkëpunim me Bllokun e Sigurisë, me qëllim shmangien e tejkalimit të kapaciteteve ligjore dhe transferimin e personave në ambiente të tjera kur është e nevojshme.
Një tjetër udhëzim lidhet me pajisjen me kamera të ambienteve të shoqërimit dhe intervistimit, si dhe të zyrave të komisariateve. Policia kërkon koordinim me Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit për sigurimin dhe ruajtjen e pamjeve filmike, duke përfshirë edhe ato të datës 19 tetor 2026.
Në dokument theksohet shprehimisht se telefonat nuk duhet të kontrollohen pa urdhër gjykate dhe se nuk duhet të kërkohen fjalëkalime pa një bazë ligjore.
Për çdo të mitur të shoqëruar kërkohet prania e prindit ose kujdestarit dhe e psikologut, si dhe dhënia e formularit të të drejtave në versionin për të mitur përpara se të bëhen pyetje. Gjithashtu, duhet të mbahet një regjistër i veçantë për të miturit dhe të plotësohen regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara.
Në fund, komisariateve u kërkohet të njohin strukturat me aktet ligjore që rregullojnë përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës, si dhe të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore që lidhen me trajtimin e të miturve.
Fotoja është marrë nga VNA.al
