Shpresat e Filip Hrgovic për një duel që do të unifikonte titujt botërorë në peshën e rëndë kundër Daniel Dubois për momentin janë pezulluar. Mediat britanike konfirmojnë se kroati po shqyrton plane për një sfidë në vendlindjen e tij në fillim të vitit 2027.
Hrgovic fitoi titullin kampion bote të peshave të rënda të kategorisë IBF, pasi arriti një fitore të papritur me KO teknik ndaj Moses Itauma në muajin gusht. Javën e kaluar ai ishte i pranishëm pranë ringut për të ndjekur Daniel Dubois që mbrojti titullin e kategorisë ËBO.
Madje pas kësaj sfide pati edhe një përballje “sy më sy” me boksierin londinez. Megjithatë, në vend të një unifikimi të menjëhershëm me Dubois, duket se Hrgovic do të zhvillojë mbrojtjen e detyrueshme të titullit IBF kundër Frank Sanchez, në Kroaci.
Menaxheri i Sanchez, Mike Borao, deklaroi për “Sky Sports”: “Pres që dueli mes Frank Sanchez dhe Filip Hrgovic të zhvillohet në tremujorin e parë të vitit 2027. Ndoshta në Zagreb, por është ende herët për ta thënë me siguri.”
“Kam komunikuar tashmë me stafin e Hrgovic dhe ka gjasa të flasim sërish këtë javë. Frank ka shpejtësi dhe fuqi, por gjithashtu sjell përvojë dhe qëndrueshmëri. Ai mezi pret të ndeshet me Hrgovic”, tha menaxheri i bokserit kubanez.







