Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për qëndrimet ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta, duke akuzuar qeverinë se po përdor sulmet dhe propagandën për të shmangur përgjegjësinë për korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.
Në reagimin e tij, Bardhi thekson se qytetarët nuk duhet të bëhen objekt fyerjesh për shkak se kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie.
“Fyerjet dhe balta e hedhur mbi qytetarët që protestojnë janë bërë streha e fundit e një pushteti që nuk dëshiron të përballet me të vërtetën”, shkruan ai, duke shtuar se përgjegjësia për korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit nuk mund të shmanget përmes sulmeve ndaj protestuesve.
Bardhi ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për barazinë para ligjit, duke iu referuar votimeve në Kuvend për kërkesat që lidhen me arrestimin e zyrtarëve të dyshuar. Sipas tij, përdorimi i votës parlamentare për të penguar masa të tilla ngre shqetësime mbi standardet e zbatimit të ligjit.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, thekson Bardhi.
Në përfundim, ai kërkon drejtësi, transparencë dhe institucione që mbrojnë interesin publik, duke akuzuar pushtetin se u shmanget llogaridhënies dhe sulmon ata që kërkojnë përgjegjësi.