Pedagogu dhe studiuesi Enver Bytyçi, i ftuar në SYRI TV në një bisedë me Sibora Bitrin, ka hedhur akuza të forta për marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Sipas Bytyçit, deklaratat publike të dy liderëve për njëri-tjetrin përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj që ndodh në prapaskenë, ndërsa pjesa dërrmuese e zhvillimeve mbetet e panjohur për publikun.
Bytyçi pretendon se Vuçiç ka pasur interes të veçantë për mbajtjen e Ramës në pushtet, ndërsa kryeministri shqiptar ka pasur interes që presidenti serb të vijonte qeverisjen. Sipas tij, dy liderët kanë funksionuar si aleatë politikë për 14 vite dhe kjo aleancë, që sipas pedagogut është ndërtuar në dëm të interesave të Kosovës dhe shqiptarëve, duhet të përfundojë bashkë me pushtetin e tyre.
Ai ka ngritur gjithashtu akuza për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, pretendime që i atribuohen Bytyçit.
Bytyçi: Të jeni të bindur se është vetëm 1% e asaj që çfarë ne nuk kemi parë, nga ajo që shihet në ekrane televizive dhe deklarata ‘pro’ Vuçiç të Edi Ramës dhe ‘pro’ Ramës të Vuçiçit. 99% e gjitha asaj që ka ndodhur dhe ndodh është prapa perdes, ajo që ne nuk e shohim. Vuçiç ka bërë ç’është e mundur ta ndihmojë Edi Ramën për të përballuar këto protesta, madje duke i dërguar minimum bodyguardë për ta mbrojtur atë nga ndonjë atentat i mundshëm. Vuçiç ka pasur një interes të jashtëzakonshëm që Rama të mos bjerë nga pushteti dhe Edi Rama ka pasur një interes të jashtëzakonshëm që Vuçiç të ishte sërish sot në pushtet. Ata mbanin njëri tjetrin. Erdhën në pushtet në aleancë me njëri tjetrin dhe duhet të ikin në aleancë me njëri tjetrin. Aleanca e tyre në ardhje është edhe një aleancë në ikje. Kështu ka ndodhur për 14 vite të shkuara. Gjithçka është realizuar kundër interesit të Kosovë, kundër interesit shqiptar, thjeshtë në interes të dy autokratëve kleptokratëve të cilët kanë bashkëpunuar të dyja palët me krimin e organizuar me kartelet e drogës për të mbajtur pushtetin e tyre.
© SYRI.net