Aktualitet

Shkulen pllakat përkujtimore të 4 viktimave të 21 Janarit/ Xhaxhai i Aleks Nikës: Një goditje e rëndë morale për ne, SPAK të hetojë sa më shpejt vrasjet

“Është një goditje e rëndë morale për ne”, shprehet Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, pas dëmtimit të pllakave përkujtimore të katër viktimave të 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Është një goditje e rëndë morale për ne”, shprehet Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, pas dëmtimit të pllakave përkujtimore të katër viktimave të 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Gjatë protestës së një dite më parë, tre nga pllakat e bronzit të vendosura në nderim të Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit janë shkulur plotësisht, ndërsa pllaka e Aleks Nikës është shkulur pjesërisht dhe është dëmtuar.

Në një intervistë nga vendi ku ndodhet pllaka përkujtimore e nipit të tij, Mark Nika tha se e kishte mësuar nga mediat dëmtimin e saj.

“Është vrarë Aleksi më 21 Janar nga Garda e Republikës. Në shenjë kujtimi është vendosur kjo pllakë, për të përkujtuar vendin dhe ditën e vrasjes së Aleksit. Sot nga mediat mësova, forca të errëta, nuk e di se kush mund ta ketë bërë, e kanë zhveshur, e kanë hequr pllakën, për të na bërë që edhe këtë kujtim që kemi për Aleksin ta shuajmë”, tha Mark Nika.

Ai tregoi edhe rëndësinë që ky memorial ka për familjen, e cila ndalon aty për të kujtuar Aleks Nikën sa herë vjen në Tiranë.

“Fyerja është goditje e rëndë morale për ne. Aleksi nuk kthehet më, por ne, kur vijmë në Tiranë, ndalojmë dhe kujtojmë Aleksin në vendin ku është vrarë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse pllaka duhet të riparohet, Nika tha se është i bindur se ajo do të rivendoset.

Xhaxhai i Aleks Nikës e shfrytëzoi rastin për t’i bërë sërish thirrje SPAK-ut që të përshpejtojë hetimet për vrasjet e 21 Janarit.
“Ne e dimë se kush janë vrasësit, dimë dhe që SPAK-u po heton çështjen dhe i bëjmë thirrje që të shkojnë para drejtësisë dhe vrasësit të mos bredhin përsëri, si në Parlament dhe jashtë Parlamentit. I bëjmë thirrje edhe një herë SPAK-ut që të hetojë sa më shpejt dhe këto vrasje të mos jenë më nëpër këmbët tona. Dhe të mos na krijojnë përsëri dëme morale”, deklaroi Mark Nika.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.