Leon Parduzi, talenti i Kosovës që po e lë në stol transferimin rekord të Holstein Kielit

Holstein Kieli pagoi 2.5 milionë euro për reprezentuesin amerikan John Tolkin në janar të vitit 2025, duke e bërë atë transferimin më të shtrenjtë në historinë e klubit.
Megjithatë, në fitoren 3-0 ndaj Dresdenit, mbrojtësi i majtë qëndroi për 90 minuta në stol, ndërsa vendin e tij në formacion e zuri 19-vjeçari Leon Parduzi, një prej zbulimeve të skuadrës këtë sezon.
Parduzi u transferua nga Karlsruher në verën e vitit 2025. Pavarësisht paraqitjeve të mira në Bundesligën U19, ai nuk mori mundësi të mjaftueshme për të ecur përpara në klubin nga Baden-Württembergu.
Ndryshe nga bashkëlojtarët e tij Louey Ben Farhat, Danyal Zor dhe Rafael Pinto Pedrosa, Parduzi, i lindur në Achern, vendosi të largohej nga Karlsruheri për të ndjekur ëndrrën e tij për t'u bërë futbollist profesionist.
Megjithatë, edhe te Holstein Kieli, mbrojtësit të talentuar iu desh të priste deri në xhiron e 34-të të sezonit të kaluar për të debutuar në Bundesliga 2. Ndërkohë, ai fitoi përvojë me ekipin rezervë të klubit në Oberliga, niveli i pestë i futbollit gjerman, ku shpejt u bë e qartë se kishte potencial për më shumë.

Pas një faze përgatitore mbresëlënëse me ekipin e parë, Parduzi, i cili sikurse fqinji i tij i fëmijërisë, Florent Muslija, përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, mori rastin të zëvendësonte Tolkinin e lënduar në fillim të sezonit.
Paraqitjet e tij ishin aq të mira sa trajneri Tim Walter vendosi ta mbante në formacionin startues edhe pas rikuperimit të amerikanit.
“Leoni bëri mirë javën e kaluar dhe sot ishte sërish shumë i mirë”, kishte deklaruar trajneri.
Deri më tani, Parduzi e ka shpërblyer besimin e trajnerit. Revista gjermane “Kicker” e vlerëson atë si futbollistin më të mirë të Holstein Kielit këtë sezon, duke marrë parasysh notat e paraqitjeve. Ai nuk po i shmanget konkurrencës me Tolkinin dhe japonezin Niko Takahashi, i cili është i huazuar.
“E di që John dhe Niko janë dy lojtarë shumë cilësorë në pozitën time. Konkurrenca me ta më motivon jashtëzakonisht shumë. Duhet të jap 110 për qind çdo ditë”, ka thënë Parduzi.
Futbollisti i Kosovës po i dëshmon fjalët e tij edhe në fushë. Në aspektin defensiv, ai po tregon se është njëri prej mbrojtësve të krahut më të mirë në ligë, duke fituar shumë duele mbrojtëse.
3:0-Sieg für Leon Parduzi und die U21 des Kosovo gegen San Marino! 🙌Beim U21-EM-Qualifikationsspiel in San Marino sicherte sich der Kosovo drei wichtige Punkte in der Gruppenphase.Leon stand dabei über die vollen 90 Minuten auf dem Platz. 🇽🇰📸 Football Federation of Kosova https://t.co/OUoJaOtpak
— Holstein Kiel (@Holstein_Kiel) September 25, 2026
Parduzi është gjithashtu mjaft i përfshirë në ndërtimin e aksioneve. Ai prek topin mesatarisht afro 80 herë për 90 minuta, duke u renditur në mesin e lojtarëve më të mirë të ligës në këtë aspekt. Saktësia e pasimeve të tij arrin në 84 për qind, ndërsa në pasimet e shkurtra është rreth 90 për qind.
Megjithatë, deri tani ai ka luajtur në mënyrë disi konservatore dhe rrallë është përfshirë në fazën e fundit të sulmit. Vetë mbrojtësi e pranon se ka ende hapësirë për përmirësim.
“Kjo përfshin edhe goditjen drejt portës kur kam mundësi, apo dërgimin e një krosimi të mirë”, ka theksuar ai.
Deri më tani, Parduzi ka luajtur vetëm për Kombëtaren U21 të Kosovës. Nëse vazhdon me formën aktuale, një ftesë nga Kombëtarja A nuk do të ishte befasi, ndoshta edhe që në nëntor, për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Irlandës dhe Izraelit.
Nëse siguron një vend në ekipin e parë të Kosovës dhe vazhdon të jetë titullar në Bundesliga 2, atëherë hapi i radhës drejt Bundesligës mund të jetë gjithnjë e më afër./Telegrafi/











































