Avokati Alban Duraj ka ngritur akuza të forta ndaj kompanive Vodafone dhe Iute Kredit, duke kritikuar shërbimet dhe praktikat e tyre ndaj konsumatorëve shqiptarë.
I ftuar në podcastin e Radar, Duraj deklaroi se qytetarët paguajnë çmime të larta për shërbime që, sipas tij, nuk ofrohen në nivelin e duhur. Si shembull, ai tregoi përvojën e tij me internetin e zyrës, i cili ishte ndërprerë pas dy muajsh mospagese, gjatë kohës që ai ndodhej me pushime dhe nuk e kishte përdorur shërbimin.
Avokati pretendon se, edhe pasi kishte shlyer penalitetet përkatëse, kompania nuk i kishte riaktivizuar shërbimin, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për ta zgjidhur problemin.
“Përveçse paguajmë çmimet më të larta, nuk marrim as shërbimin. I kam paguar penalitetet për muajt e papaguar, por ende nuk po ma riaktivizojnë kontratën, ndërkohë që ajo vazhdon të jetë aktive”, u shpreh Duraj.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, funksionojnë kompanitë e telekomunikacionit në Shqipëri, duke ngritur dyshime për mungesë të konkurrencës së efektshme dhe për përcaktimin e çmimeve në mënyrë të koordinuar mes operatorëve.
Kritika të forta Duraj rezervoi edhe për institucionin mikrofinanciar Iute Kredit, të cilin e akuzoi për praktika që, sipas tij, rëndojnë financiarisht qytetarët shqiptarë.
“Ndërkohë kemi një institucion mikrofinanciar, siç është Iute Kredit, që i ka rrjepur qytetarët shqiptarë”, deklaroi avokati gjatë intervistës.

