Ish-futbollisti i Liverpoolit dhe Arsenalit, Jermaine Pennant, ka kaluar një eksperiencë të frikshme gjatë një shëtitjeje në veri të Londrës. Ish-mesfushori anglez, i cili i dha fund karrierës profesioniste në vitin 2018, u sulmua nga një qen i racës pastor gjerman, ndërsa shpëtimin e gjeti falë ndërhyrjes së qenit të tij, King.
Ngjarja ndodhi javën e kaluar, kur Pennant po shëtiste në një park. Qeni iu vërsul dhe e kafshoi në këmbë, duke mos e lëshuar për disa çaste. Në ato momente, në ndihmë të ish-futbollistit erdhi Akita King, i cili u përball me kafshën sulmuese dhe arriti ta largonte nga i zoti.
Për shkak të plagëve të marra, Pennant iu nënshtrua trajtimit mjekësor dhe mori plot 50 qepje në këmbë. Përmes një postimi në Instagram, ai ka treguar momentet e vështira të përjetuara gjatë sulmit, duke vlerësuar reagimin e qenit të tij.
“U përpoqa të shpëtoja King, por qeni më kafshoi këmbën. Rashë në tokë, ndërsa kafsha ishte kapur pas meje dhe nuk kishte ndërmend të më lëshonte. King e kuptoi se çfarë po ndodhte, ndërhyri dhe u përball me qenin tjetër, duke parandaluar një situatë edhe më të rëndë”, ka rrëfyer ish-futbollisti.
Pennant bëri të ditur se King shpëtoi pa lëndime serioze, përveç një kafshimi të vogël në putër. Megjithatë, qeni ishte mbuluar me gjak, çka e bëri ish-mesfushorin të frikësohej për gjendjen e tij.
“Në atë moment e harrova dhimbjen që po ndieja. Zemra më shkoi në fund të këmbëve, por fatmirësisht gjaku nuk ishte i King”, ka treguar ai.
Ndërkohë, incidenti rikthen në vëmendje shqetësimin për sulmet e qenve në Britaninë e Madhe. Sipas shifrave të përmendura në raportimet për këtë çështje, numri i sulmeve të regjistruara nga policia është rritur nga 16 040 raste në vitin 2020, në 29 400 gjatë vitit të kaluar, një rritje prej rreth 83 për qind.
Krahas rasteve të raportuara zyrtarisht, besohet se ekzistojnë edhe incidente që nuk regjistrohen, duke e bërë të vështirë përcaktimin e përmasave të plota të këtij fenomeni.

