Tuesday / October 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Propozimi, pasqyrat financiare do dorëzohen vetëm në QKB, tatimet do i marrin automatikisht

Share Share Icon

Ndërsa fundi i marsit dhe i korrikut janë periudha të ngjeshura për ekonomistët dhe bizneset, që duhet të dorëzojnë online pasqyrat financiare, fillimisht te tatimet dhe pastaj në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të ardhmen pritet që ata ta kryejnë këtë veprim vetëm një herë.

Projektligji “Për disa shtesa dhe një ndryshim në ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”, parashikohet që “Tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të ligjit përkatës, paraqesin pranë organeve tatimore deklaratën vjetore, pasqyrat financiare vetëm në rastet kur nuk kanë detyrimin për depozitimin e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, si dhe të dhëna të tjera të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat për zbatimin e këtij ligji”.

Aktualisht tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të legjislacionit përkatës kanë detyrimin të paraqesin pranë organeve tatimore deklaratën vjetore së bashku me pasqyrat financiare, ndërkohë që tatimpaguesit që kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit paraqesin të njëjtin dokument edhe pranë këtij institucioni. Në këtë mënyrë, për të njëjtin informacion financiar tatimpaguesit dorëzojnë të njëjtat pasqyra financiare pranë dy institucioneve.

Me qëllim thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e barrës administrative për tatimpaguesit, propozohet që pasqyrat financiare të paraqiten pranë organeve tatimore vetëm në rastet kur tatimpaguesit nuk kanë detyrimin për depozitimin e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Për tatimpaguesit që i depozitojnë pasqyrat financiare pranë QKB-së, informacioni do të sigurohet nga administrata tatimore nëpërmjet shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet dy institucioneve.

Por, që të mundësohet kjo, duhet që tatimet dhe QKB të kenë shkëmbim elektronik të dokumenteve mes tyre. Ndryshimet parashikojnë që: “Për tatimpaguesit që kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, këto depozitohen brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin përkatës dhe i përcillen administratës tatimore elektronikisht. Deri në mundësimin e shkëmbimit elektronik, këto pasqyra financiare depozitohen edhe pranë administratës tatimore.”.

Deri në mundësimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet administratës tatimore dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, tatimpaguesit do të vazhdojnë t’i paraqesin pasqyrat financiare edhe pranë organeve tatimore sipas procedurave aktuale. Në këtë mënyrë sigurohet vijimësia e informacionit financiar për administratën tatimore dhe, pas funksionalizimit të shkëmbimit elektronik, eliminohet nevoja që tatimpaguesi të paraqesë të njëjtin dokument pranë dy institucioneve.

Sipas relacionit, ky ndryshim synon një administrim më të thjeshtë të detyrimeve të raportimit, reduktimin e kohës dhe procedurave të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve nga tatimpaguesit, si dhe rritjen e përdorimit të shkëmbimit elektronik të informacionit ndërmjet institucioneve publike.

Lehtwsohet barra tatimore për kategori të caktuara individësh

Njw tjetwr ndryshim, po nw kwtw projektligj ka për qëllim lehtësimin e barrës tatimore për kategori të caktuara individësh.

Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara synohet saktësimi, zgjerimi dhe unifikimi i trajtimit tatimor favorizues për të ardhurat e individëve dhe të vetëpunësuarve të vetëm që kanë statusin e personit të verbër, invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, personit surdomut dhe invalidit të punës.

Në lidhje me saktësimin, zgjerimin dhe unifikimin e trajtimit tatimor favorizues për kategoritë e sipërpërmendura, ndryshimi i propozuar synon, nga njëra anë, të sigurojë vijimësinë e lehtësive tatimore për kategoritë që i kanë gëzuar ato më parë sipas legjislacionit përkatës dhe, nga ana tjetër, të shtrijë këtë trajtim edhe për kategoritë e tjera të përfshira në dispozitë, duke përcaktuar një trajtim të njëjtë në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Njëkohësisht, ky ndryshim synon lehtësimin e barrës tatimore për kategori të cilat përballen me kufizime më të mëdha në pjesëmarrjen në tregun e punës, si dhe me nevoja dhe kosto shtesë në jetën e përditshme.

Në nivel ndërkombëtar, pjesëmarrja në tregun e punës e personave me aftësi të kufizuara vijon të mbetet ndjeshëm më e ulët krahasuar me personat pa aftësi të kufizuara. Për nxitjen e punësimit të kësaj kategorie, OECD evidenton përdorimin në vende të ndryshme të stimujve tatimorë, si kreditë tatimore, zbritjet tatimore apo rritja e pragut të të ardhurave të patatueshme, si instrumente që mund të mbështesin pjesëmarrjen e kësaj kategorie në tregun e punës. Ndryshimi i propozuar synon, në këtë kuadër, të rrisë të ardhurat neto të disponueshme të këtyre individëve, me qëllim nxitjen e punësimit dhe vetëpunësimit të tyre.

Kjo masë është gjithashtu në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila në nenin 27 parashikon marrjen e masave për promovimin e mundësive për punësim, vetëpunësim, sipërmarrje dhe fillimin e një aktiviteti ekonomik nga personat me aftësi të kufizuara. Konventa parashikon gjithashtu promovimin e punësimit në sektorin privat nëpërmjet politikave dhe masave të përshtatshme, përfshirë masa stimuluese.

Në këtë mënyrë, ndryshimi i propozuar synon jo vetëm lehtësimin e barrës tatimore, por edhe mbështetjen e pavarësisë ekonomike dhe përfshirjes më të madhe të këtyre kategorive në tregun e punës dhe në aktivitetin ekonomik, sqaron relacioni.

 

NDRYSHIMET

Në ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimi si më poshtë vijon:

Neni 1

Në nenin 11, pas shkronjës “g”, shtohet shkronja “gj”, me përmbajtjen si më poshtë:

“gj) të ardhurat personale të individëve dhe të vetëpunësuarve të vetëm, që kanë statusin e personit të verbër, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, si edhe personat surdomutë, invalidët e punës të provuar me vërtetimin përkatës të lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi të fushës.”.

Neni 2

Në nenin 27, në pikën 3, pas togfjalëshit “…dhe pasqyrat e raportimit financiar…” shtohet togfjalëshi “sipas përcaktimeve të pikës 5 të nenit 61 të këtij ligji,…”.

Neni 3

Në nenin 61, në pikën 5, bëhen ndryshimi dhe shtesat si më poshtë:

1. Fjalia e dytë ndryshon me përmbajtje si më poshtë:

“Tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të ligjit përkatës, paraqesin pranë organeve tatimore deklaratën vjetore, pasqyrat financiare vetëm në rastet kur nuk kanë detyrimin për depozitimin e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, si dhe të dhëna të tjera të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat për zbatimin e këtij ligji.

2. Pas fjalisë së dytë shtohet fjalia e tretë dhe e katërt më përmbajtje si më poshtë:

“Për tatimpaguesit që kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, këto depozitohen brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin përkatës dhe i përcillen administratës tatimore elektronikisht. Deri në mundësimin e shkëmbimit elektronik, këto pasqyra financiare depozitohen edhe pranë administratës tatimore.”.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Paketa, propozohet rritje për akcizën e duhanit 4.5%, skedulimi i ri deri më 2033 e rrit 32%

Nga 1 janari 2027 akciza për duhanin do të rriten me 350 lekë për kg. Paketa e re fiskale propozon rritje të akcizës për duhanin, duke parashikuar ...

9 hours më parë 5 Min Lexim

Paketa Fiskale 2027, regjimi i TVSH-së për Bursën e Energjisë zgjatet deri në anëtarësimin në BE

Regjimi i veçantë i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) propozohet të zgjatet deri në anëtarësim...

9 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!