Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u ka dërguar një shkresë urgjente komisariateve të Tiranës dhe Krujës, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për menaxhimin e situatës gjatë protestave të studentëve. Dokumenti, i firmosur më 22 tetor nga zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, kryekomisar Edmond Meshini, vë theksin te respektimi i të drejtave të të miturve dhe zbatimi i procedurave ligjore.
Shkresa kërkon që çdo punonjës policie të jetë lehtësisht i identifikueshëm gjatë shërbimit, me numrin identifikues të dukshëm, ndërsa automjetet e përdorura në operacione të jenë gjithashtu të identifikueshme.
Një tjetër udhëzim lidhet me trajtimin e të miturve të shoqëruar në polici. Sipas dokumentit, në bashkëpunim me Bllokun e Sigurisë duhet të merren masa urgjente për menaxhimin e këtyre rasteve, për të shmangur tejkalimin e kapaciteteve ligjore dhe për të mundësuar transferimin në ambiente të tjera kur është e nevojshme.
Në shkresë kërkohet gjithashtu bashkëpunim me Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit për sigurimin dhe vendosjen e kamerave në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi, si dhe në zyra. Po ashtu, urdhërohet ruajtja e menjëhershme e pamjeve filmike të datës 19 tetor 2026.
Ndalohen kontrollet e telefonave pa urdhër gjykate
Një nga pikat e dokumentit lidhet me kontrollin e pajisjeve elektronike dhe të dhënave personale. Udhëzimi përcakton shprehimisht që të mos kryhet asnjë kontroll i telefonave pa urdhër gjyqësor dhe të mos kërkohen fjalëkalime pa bazë ligjore.
Për procedurat që përfshijnë të miturit, shkresa kërkon praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut. Gjithashtu, para se të merren në pyetje, të miturve duhet t’u vihet në dispozicion formulari i të drejtave në versionin e përshtatur për ta, ndërsa rastet duhet të pasqyrohen në një regjistër të veçantë.
Dokumenti u kërkon strukturave të policisë të njihen me aktet ligjore që rregullojnë përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës. Gjithashtu, duhet të plotësohen regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara.
Shkresa u është dërguar komisariateve nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të Tiranës, si dhe Komisariatit të Policisë Tiranë dhe atij të Krujës.
Në dokument thuhet se masat synojnë zbatimin korrekt të detyrimeve të përcaktuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe në aktet nënligjore përkatëse, në kushtet e protestave të fundit të iniciuara nga studentët.

