I ftuar në edicionin e lajmeve të pasdites në Syri TV, Aziz Aziri, politolog, komentoi zhvillimet politike në Serbi dhe situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Aziri vlerësoi mobilizimin e studentëve kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiçit, duke theksuar se protestat dhe pjesëmarrja e qytetarëve treguan pakënaqësinë ndaj regjimit.
Ai ngriti dyshime për manipulime të mundshme të votave në Preshevë dhe përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në institucionet publike, ku në punësime favorizohen kandidatët serbë.
Aziri kërkoi integrimin e shqiptarëve në institucionet republikane të Serbisë, duke paralajmëruar se bojkoti nuk i shërben komunitetit shqiptar dhe duke shprehur shpresën se një qeveri e re proevropiane mund të ndikojë në përmirësimin e të drejtave të pakicave dhe të marrëdhënieve me Kosovën.
Pjesë nga intervista:
Vlen për të theksuar se lista e studentëve ka pasur fitore bindëse. Edhe unë s’e kam besuar, kam thënë që është shumë e pabesueshme që të bjerë pushteti apo regjimi i Vuçiçit, meqenëse i ka të instaluara të gjitha institucionet, njerëzit e tij dhe blerja e votës ka qenë maksimale.
Por fuqia e popullit për me ndryshu situatën politike apo ekonomike dhe pushtetin në Serbi, fuqia e protestave studentore, ka ardh deri te rrëzimi i Aleksandar Vuçiçit, edhe pse tani ai, në konferencën që e kishte mbrëmë, tha që kemi pas edhe faktorë të brendshëm që na kanë bojkotu, po ajo dihet se je në një garë politike.
Unë mendoj që javën e fundit ish-presidenti Vuçiç e ka kuptuar humbjen e zgjedhjeve, sepse e ka pa tubimin e fushatës në Beograd, që ishte bllokuar Beogradi, që s’ka ndodh, s’besoj as kur ka ra Millosheviçi, nuk ka pas kaq shumë entuziazëm edhe interes me votu kundër regjimit të Vuçiçit.
Unë mendoj se lista studentore, me kandidatin që e kanë, akademikun Rajdamir Shajçiç, është pjesë e Akademisë së Shkencave të Republikës së Serbisë.
Sa i përket qasjes së tyre me shqiptarët në Serbi në përgjithësi, edhe shqiptarët në Preshevë, nuk e di akoma çfarë qasje do të ketë. Meqenëse janë protesta studentore, unë besoj që të jetë një qeveri proevropiane, e cila do të vendoset në anën e Evropës për raportin me Kosovën dhe për raportin me pakicat kombëtare në Serbi.
Për sa i përket dy deputetëve shqiptarë që i kanë fitu mandatet, zoti Kamberi, që është mandati i pestë i tij, dhe zoti Visar Mehmeti nga Alternativa për Ndryshim, që është deputeti i dytë i kësaj partie në këtë parlament, po është mandati i tij i parë.
Në vitin 2020 i kemi pas 3 deputetë dhe, realisht, unë s’e kisha quajtur historike. Zgjedhjet për në Luginën e Preshevës ne i kemi marrë me entuziazëm, se kemi pas 2 deputetë brenda parlamentit të Serbisë, por, po ta analizosh anën tjetër të daljes së njerëzve në situatë, mu si qytetar i Preshevës, më vjen me qajt në çfarë gjendje ka ardh Lugina e Preshevës në përgjithësi.
Ne i kemi 27 mijë vota, me 35-përqindëshin që e kanë favorit pakicat kombëtare në Serbi. Me ia heq 27 mijë votave minus 35 për qind të votave të përgjithshme, i bie që ne s’i kemi marrë 27 mijë vota. Nëse ne i kemi 10 mijë vota, na shtohen edhe 35 për qind, i bie 13 mijë e 500 i kemi. E kemi një përparësi si pakicë brenda Serbisë, meqenëse ne 3 për qind s’mund ta arrijmë asnjëherë.
Por, me marrë me analizu që USA Mezokoliçi ka mbi 1 mijë e 500 vota në komunën e Preshevës, Aleksandar Vuçiç i ka mbi 1 mijë e 500 vota në komunën e Preshevës, edhe kjo i bie që ka pas edhe pazar me komisionerët, siç ndodh në shumë vende të botës ballkanike, që regjimi pastaj, ose me pazare ose me shantazhe, ka bo naj ndryshim të votave.
Për sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës, unë mendoj se jam optimist, se me një qeveri të re, me 2 deputetë, mundemi me pas edhe integrim të plotë në institucionet republikane. E ai që thotë bojkotim të institucioneve dhe jeton edhe me rrogë brenda Serbisë, unë s’besoj se asht tu ju shërby shqiptarëve, se ne po jetojmë në Serbi, po paguajmë edhe taksa në Serbi, edhe normal që duhet me u integru në institucione republikane, edhe mos me ua thy shqiptarëve të Luginës së Preshevës shpresën, ekonominë, vendet e punës, sepse në çdo institucion lokal, shumicë dërrmuese po punësohen pjesëtarë të përkatësisë serbe, pastaj vijnë shqiptarët. Nëse po pranohen 20 punonjës, p.sh. në Komunën e Preshevës, pranohen 3 shqiptarë dhe 17 serbë.
© SYRI.net
‘Asgjë nuk do të jetë më si më parë’/ Çfarë e pret Listën Serbe pas humbjes së Vuçiqit?
Zbardhet arsyetimi i presidentes Shiroka-Pula për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend
Kuvendi mban sot seancë të jashtëzakonshme për vrasjen në Vitomiricë të Pejës