Një grua 84-vjeçare me aftësi të kufizuara ka humbur jetën pasi zjarri përfshiu apartamentin ku banonte në një pallat social në zonën Vigentino, në jug të Milanos. Pesë persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa hetuesit dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
Ngjarja ndodhi në rrugën Bottoni 16, ku flakët përfshinë një ndërtesë banimi gjashtëkatëshe. E moshuara jetonte në katin e dytë, në shkallën D. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga apartamenti, i cili u shkatërrua plotësisht nga zjarri, dhe tentuan ta rikthenin në jetë, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
Në vendngjarje mbërritën gjashtë mjete zjarrfikëse nga reparti i zjarrfikësve në rrugën Messina, së bashku me patrullat e policisë italiane dhe ekipet e urgjencës mjekësore 118.
Pesë të plagosurit u transportuan në urgjencat e disa spitaleve në zonën e Milanos. Sipas të dhënave paraprake, tre prej tyre u klasifikuan me kod të verdhë, që nënkupton nevojën për vlerësim të shpejtë mjekësor, ndërsa dy të tjerët me kod të gjelbër, për gjendje më pak urgjente.
Për të garantuar sigurinë, të gjithë banorët e pallatit u evakuuan. Ata nuk mundën të ktheheshin në banesat e tyre deri në përfundimin e kontrolleve nga zjarrfikësit dhe verifikimin e kushteve të sigurisë së ndërtesës.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të verifikuar dyshimet se ai mund të jetë vënë qëllimisht. Në kuadër të hetimeve, është marrë në pyetje edhe një fqinj i viktimës. Deri më tani, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten për t’u sqaruar.

