Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr vëmendjen me një koment të drejtpërdrejtë për format trupore të reperes Nicki Minaj, gjatë një tubimi politik në Michigan, ku artistja u shfaq për të shprehur publikisht mbështetjen për të dhe kandidatët republikanë.
Gjatë aktivitetit të së dielës, më 25 tetor, Trump e veçoi 43-vjeçaren përpara të pranishmëve, duke komentuar të pasmet e saj dhe duke e ftuar të ngrihej në këmbë.
Meqë ra fjala, shikoni çfarë vithe të mira ka… Nicki Minaj. Është e vështirë të mos e vëresh këtë
-tha presidenti, duke shkaktuar reagime dhe duartrokitje nga publiku.
Minaj u ngrit nga vendi dhe përshëndeti të pranishmit. Më pas, Trump shtoi se shpresonte që ajo të mos ishte ndier e fyer nga komenti.
Përpara se të përmendte Nicki Minaj, Trump po fliste për senatorin republikan të Ohajos, Jon Husted, dhe komentet e mëparshme që kishte bërë për fizikun e tij.
Presidenti u përpoq të shpjegonte se vëmendja ndaj fizikut të Husted-it lidhej me të kaluarën e tij si sportist. Gjatë këtij shpjegimi, Trump e zhvendosi bisedën te reperja, duke e kthyer komentin për pamjen e saj në një nga momentet më të diskutuara të tubimit.
Ngjarja u zhvillua në Port Huron, Michigan, ku Trump kishte mbërritur për të mbështetur kandidatin republikan për Senat, Mike Rogers, përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Reperja, e cila ka udhëtuar drejt Michigan-it me avionin presidencial Air Force One, u ngjit gjithashtu në skenë për të mbajtur një fjalim në mbështetje të presidentit.
Ajo e nisi fjalimin duke udhëhequr turmën në thirrjet “Ne e duam Trump-in”, ndërsa më pas deklaroi se ishte e nderuar të qëndronte përkrah tij.
President Trump, është nder të qëndroj pranë jush çdo herë dhe do të vazhdoj t’ju mbështes përgjithmonë
-u shpreh Minaj, duke shtuar se do ta mbështeste sërish nëse ai do të kandidonte përsëri.
Trump e vlerësoi reperen edhe pas fjalimit, duke thënë se ajo nuk ishte dukur kurrë më e bukur dhe duke e përshkruar si një person të veçantë e të zgjuar.
Qëndrimi i Nicki Minaj ndaj Trump-it ka ndryshuar me kalimin e viteve. Gjatë mandatit të tij të parë, reperja kishte kritikuar politikat e tij të emigracionit dhe kishte folur për përvojën e saj si emigrante që mbërriti në Shtetet e Bashkuara në fëmijëri.
Kohët e fundit, megjithatë, ajo ka shprehur mbështetje për presidentin dhe ka marrë pjesë në aktivitete të lidhura me administratën e tij.
Paraqitja e saj në Michigan u zhvillua në kuadër të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit 2026, ndërsa komenti i Trump-it për pamjen e saj u përhap shpejt në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale.