Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk e jap dorëheqjen” – Rama për median greke Kathimerini


“Çdokush mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë”, i tha kryeministri Rama medias greke Kathimerini.

Kryeministri Rama përsëriti për median greke Kathimerini, atë që ka thënë prej muajsh, që kur vendi është përfshirë në protesta që kërkojnë dorëheqjen e tij, se nuk ka aspak ndërmend ta japë atë.

Në një intervistë për median e njohur të vendit fqinj, kreu i qeverisë tha se është i hapur për dialog me studentët e pedagogët. Rama shprehu vullnetin për të qëndruar në krye të vendit, pavarësisht protestave të dhunshme të javëve të fundit në Tiranë.

Kryeministri bën dallimin mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe protestuesve të maskuar, mes të cilëve, sipas tij, ka edhe persona të lidhur me lëvizjen Antifa.

“Një pakicë beson se t’i vësh zjarrin vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, tha Rama.

“Më vjen keq, por nuk do të dorëzohem.”

Më poshtë intervista e Ramës për Kathimerini

Cila është përgjigjja juaj ndaj kërkesave të protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës?

“Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë siç duhet. Nuk besoj se të rinjtë duhet thjesht të pranojnë atë që kemi arritur deri më tani. Shqetësimet e tyre për arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të drejta dhe kërkojnë përgjigje thelbësore. Buxheti i vitit 2027, të cilin do e paraqesim së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Në të njëjtën kohë, i kam ftuar studentët dhe mësuesit në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, edhe ata që vijnë nga kritikët tanë më të ashpër. Megjithatë, ekziston një vijë e qartë ndarëse mes studentëve që duan një të ardhme më të mirë dhe grupeve të maskuara – përfshirë persona që i kam lidhur me lëvizjen Antifa – të cilët hedhin bomba molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe dëmtojnë pronën private. Lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë. Ajo nuk është çështje e atyre që përdorin dhunën si mjet për të pretenduar se përfaqësojnë një brez të tërë.”

A keni ndërmend të jepni dorëheqjen?

“Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve, jo përmes bombave molotov. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë synoj ta zbatoj atë. Çdokush mund të kërkojë dorëheqjen time; kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë. Detyra ime është të dëgjoj ankesat e drejta, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nuk do të largohem nga kjo detyrë për shkak se një pakicë beson se t’i vësh zjarrin vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit.”