Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim duke kërkuar zbardhjen e çdo përgjegjësie.
Kurti ka thënë se e mbështet iniciativën për themelimin e një komisioni parlamentar që heton dhe zbardhë çdo dështim të mundshëm institucional për këtë rast, derisa propozoi edhe dy ndërhyrje për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë.
“Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete - të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale përfshirë zbatimin policor të udhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike. Gjithashtu brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se vrasjet e grave në Kosovë janë edhe si pasojë e mendësisë së patriarkalizmit.
“Çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të trajtohet sipas ligjit. Vrasja e saj na detyron të kërkojmë përgjegjësi në çdo hallkë institucionale dhe ta shqyrtojmë ndërgjegjen tonë shoqërore çfarë po mbrojmë kur në emër të familjes kërkojmë heshtjen e gruas, kur në emrin e nderit gjykojmë zgjedhjet e saj, kur durimin përballë dhunës ja njohim si virtyt ndërsa kundërshtimin ia ngarkojmë si faj. Një shoqëri nuk mund ta quaj vlerë atë që ruhet duke cenuar dinjitetin dhe jetën e një njeriu. E dënoj ashpër këtë krim. Për Arlindën kërkoj drejtësi dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie. Nga të gjithë ne kërkoj gatishmërinë për ta kundërshtuar atë mendësi që ende e mat vlerën e gruas me nënshtrimin e saj. Për ta kundërshtuar këtë mendësi duhet të jemi të qartë për atë që e bën një vlerë të denjë për t’u mbrojtur – respekti për dinjitetin njerëzor”, ka thënë Kurti.
Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë e jashtëzakonshme pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Në këtë seancë u kërkua nga deputetë të opozitës, dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
© SYRI.net
Në Kosovë mirëpritet humbja e Vuçiçit, ka paqartësi për Listën e Studentëve
Zanfina Ismaili reagon ashpër pas vrasjes së Arlindës: Jep dorëheqje kryeprokurore
‘Asgjë nuk do të jetë më si më parë’/ Çfarë e pret Listën Serbe pas humbjes së Vuçiqit?