Agjencia e Inteligjencës së Rumanisë njoftoi se ka zbuluar një rrjet të dyshuar sabotimi, që sipas autoriteteve koordinohej nga Rusia. Hetimi lidhet me një zjarr të rënë në shtator në një strukturë industriale në pjesën qendrore të vendit, pranë një kompanie shtetërore të prodhimit të armëve.
Sipas agjencisë rumune, personat që dyshohet se drejtonin aktivitetin nga territori rus kishin identifikuar disa objektiva në zonë. Mes tyre përfshiheshin struktura shtetërore dhe private të prodhimit të armëve, si dhe objekte të tjera me rëndësi ushtarake dhe industriale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet kanë evidentuar përfshirjen e disa shtetasve nga ish-republikat sovjetike, të cilët jetonin në vende të Bashkimit Evropian.
Në lidhje me çështjen, në Rumani po zhvillohen procedura ligjore në bashkëpunim me institucionet përkatëse të disa vendeve evropiane. Tre shtetas të huaj, dy bjellorusë dhe një ukrainas, janë nën hetim për aktivitetin e dyshuar.
Zbulimi vjen në një kohë kur vendet evropiane po shprehin shqetësim në rritje për kërcënimet ndaj sigurisë dhe infrastrukturës strategjike. Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat se qëndron pas akteve të sabotimit në Evropë.
Deri më tani, agjencia rumune e inteligjencës nuk ka publikuar identitetet e personave nën hetim dhe as detaje të tjera mbi ecurinë e procedurave ligjore.

