Greqia, Bashkimi Evropian, Qiproja, Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe publikuan të hënën një deklaratë të përbashkët në Kombet e Bashkuara, ku kundërshtuan marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detarë mes Turqisë dhe Libisë.
Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, duke folur në emër të gjashtë palëve, tha se ratifikimi javën e kaluar nga parlamenti i Libisë lindore i memorandumit detar Turqi–Libi të vitit 2019 ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe përbën një sfidë më të gjerë për rendin juridik ndërkombëtar, shkruan Ekathimerini.
Gerapetritis paralajmëroi se pranimi i marrëveshjeve që shpërfillin të drejtën ndërkombëtare do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Ai tha se memorandumi Turqi–Libi shpërfill të drejtat detare të shteteve bregdetare, përfshirë të drejtat e ishujve, dhe mbetet i pavlefshëm, pa asnjë efekt juridik ndaj vendeve të treta.
Nënshkruesit riafirmuan angazhimin e tyre për unitetin e Libisë dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Gerapetritis tha gjithashtu se Greqia mbetet e gatshme të vazhdojë bisedimet dypalëshe me Libinë për përcaktimin e kufijve detarë.
Deklarata erdhi pas kritikave që Greqia, BE-ja dhe Egjipti shprehën javën e kaluar ndaj marrëveshjes, pas ratifikimit të saj nga parlamenti i Libisë lindore.
Greqia, Qiproja, Egjipti, Izraeli dhe Franca e kishin kundërshtuar marrëveshjen Turqi–Libi pasi ajo u nënshkrua në vitin 2019 nga Ankaraja dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vendosur në pjesën perëndimore të vendit.
Autoritetet në Libinë lindore fillimisht e kundërshtuan marrëveshjen, por e miratuan atë javën e kaluar. Libia mbetet e ndarë mes administratave rivale në lindje dhe në perëndim, ndërsa pjesa lindore kontrollohet nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar.
Po të hënën, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se kritikat e BE-së dhe të palëve të tjera ndaj miratimit të marrëveshjes për përcaktimin e kufijve detarë Turqi–Libi nuk kanë bazë ligjore. Ai theksoi se Ankaraja nuk synon të përfitojë në kurriz të askujt në Mesdheun Lindor.