Suedia ka kufizuar përdorimin e ChatGPT dhe Claude përmes shfletuesve të internetit në kompjuterët e punës të punonjësve të administratës qeveritare, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave konfidenciale, raporton “Euronews”.
Masa, e cila ka hyrë në fuqi këtë të hënë, prek Zyrat Qeveritare të Suedisë, strukturë që përfshin zyrën e kryeministrit dhe ministritë. Në vend të këtyre shërbimeve, punonjësit do të orientohen drejt Microsoft Copilot, i cili është shqyrtuar nga autoritetet dhe miratuar për përdorim në këtë mjedis pune.
Shqetësimi kryesor i autoriteteve suedeze lidhet me përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale pa marrëveshje të posaçme që përcaktojnë kushtet e përpunimit dhe mbrojtjes së të dhënave. Futja e informacioneve të ndjeshme në platforma të tilla mund të krijojë rreziqe për sigurinë e informacionit shtetëror, veçanërisht kur nuk ka garanci të qarta për mënyrën se si ruhen dhe përdoren të dhënat.
Mikael Wettercrantz, drejtor i Digjitalizimit në Zyrat Qeveritare të Suedisë, ka paralajmëruar se përdorimi i shërbimeve të inteligjencës artificiale pa marrëveshjet përkatëse mund të ketë pasoja për sigurinë e informacionit.
Vendimi vjen pas një shqyrtimi të përdorimit të mjeteve të IA-së nga punonjësit e Administratës Suedeze të Transportit. Një auditim i brendshëm në këtë institucion evidentoi raste problematike, duke ngritur shqetësime si për ndjeshmërinë e informacioneve të futura në platforma, ashtu edhe për mënyrën se si ishin trajtuar përgjigjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Përpara kufizimit, autoritetet shqyrtuan edhe sigurinë e Microsoft Copilot dhe forcuan masat mbrojtëse të tij. Përdorimi i këtij mjeti mbështetet në një marrëveshje me Microsoft, e cila përcakton kushtet e sigurisë dhe të përpunimit të të dhënave.
Megjithatë, kufizimi nuk përbën një ndalim të plotë të ChatGPT dhe Claude në administratën suedeze. Një numër i kufizuar punonjësish do të vazhdojnë të kenë qasje në këto shërbime përmes një platforme të posaçme për asistentët e inteligjencës artificiale, të krijuar për institucionet suedeze.
Kufizime të ngjashme janë vendosur edhe në Agjencinë Suedeze të Taksave dhe në Bordin Kombëtar të Kujdesit Institucional. Ndërkohë, Autoriteti Suedez i Zbatimit të Ligjit po shqyrton mundësinë e marrjes së masave të ngjashme.
Me këtë vendim, ChatGPT dhe Claude i bashkohen DeepSeek në listën e mjeteve të inteligjencës artificiale, përdorimi i të cilave është kufizuar në administratën suedeze për arsye të sigurisë së të dhënave.

