Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të forcës së tepruar dhe keqtrajtim të protestuesve gjatë protestës së studentëve në Tiranë.
I ftuar në emisionin “Prime News24”, Kaso deklaroi se janë evidentuar qindra raste të personave të ndaluar, të cilët janë dhunuar si gjatë momentit të ndalimit, ashtu edhe në ambientet e komisariateve.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për përfshirjen në operacionet policore të efektivëve që, sipas tij, nuk ishin të trajnuar për menaxhimin e situatave të tilla.
“Policia ka qenë tërësisht jashtë misionit. Edhe nëse ka episode dhune sporadike, t’u përgjigjet me mjete proporcionale, që parashikon ligji, nga efektivë të trajnuar për atë punë, dhe të pajisur, dhe nuk do të kishim parë skenat që kamë. Ka rezultuar që në radhë të parë, gjëja që është më shqetësuese efektivë të policisë të përfshirë në shtypjen me dhunë të protestave të studentëve në një masë të madhe janë tërësisht jashtë funksionit. Nuk janë FNSH ose efektivët që duhet të përballen me atë situatë por me efektivë që nuk dihen nga radhët se kujt vijnë. Kemi pasur raste të studentëve të akademisë së rendit, me persona që vijnë nga zona të caktuara që kanë vetëm një teser partie dhe janë veshur me rrobën e policit dhe me persona të patrajnuar.”, tha ai.
Deputeti tha se kanë trajtuar mbi 500 raste të personave të ndaluar, ndërsa numri i përgjithshëm i të ndaluarve, sipas tij, ka qenë rreth 1 mijë. Kaso theksoi se pothuajse të gjithë janë keqtrajtuar gjatë ndalimit ose në komisariate.
“Në protesta kemi një grup pune që mbledh rastet. Kemi trajtuar në cilësinë e suportit që i kemi dhënë protestës, mbi 500 raste të personave të ndaluar. Kanë qenë rreth 1 mijë të ndaluar. Thuajse të gjithë kanë qenë të keqtrajtuar në momentin e ndalimit dhe në komisariate. Një pjesë janë liruar që në fillim, të tjerët në gjykatë. Pjesa dërrmuese kanë lënë paraburgimin”, u shpreh ai.












