Kane emocionohet pas fitimit të Topit të Artë: Pa familjen dhe shokët e Bayernit, nuk do t’ia kisha dalë

Kane emocionohet pas fitimit të Topit të Artë: Pa familjen dhe shokët e Bayernit, nuk do t’ia kisha dalë

00:11, 27/10/2026

Harry Kane nuk i fshehu emocionet pas fitimit të Topit të Artë, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij. Sulmuesi anglez, i cili mori çmimin në ceremoninë e zhvilluar në Londër, theksoi se ky sukses është rezultat i punës së palodhur, mbështetjes së shokëve të skuadrës dhe sakrificave të familjes.

“Fillimisht, më kanë mbaruar fjalët. Falënderoj France Football dhe fakti që ceremonia zhvillohet në Londër e bën këtë moment edhe më të veçantë. Falënderoj të gjithë ata që votuan për mua. Ka qenë një garë shumë e vështirë, duke pasur parasysh futbollistët e mëdhenj me të cilët konkurrrova”, u shpreh Kane.

Sulmuesi vlerësoi veçanërisht shokët e skuadrës te Bayerni, duke pranuar se pa ndihmën e tyre nuk do ta kishte arritur këtë sukses.

“Pa shokët e mi te Bayerni, nuk do t’ia kisha dalë. Jam përmirësuar shumë si futbollist dhe kjo falë edhe udhëheqjes suaj. Është nder të luash për Bayernin dhe për mua është një privilegj ta çoj këtë trofe në Mynih”, tha ai.

Kane foli edhe për kombëtaren angleze, duke e cilësuar vitin e fundit si të veçantë, pavarësisht se jo gjithçka shkoi në mënyrë perfekte. Ai falënderoi stafin teknik dhe u shpreh krenar që mban shiritin e kapitenit të Anglisë.

Një vend të veçantë në fjalimin e tij pati Tottenham Hotspur, klubi ku u formua dhe u afirmua si një prej sulmuesve më të mirë në botë. Kane falënderoi të gjithë trajnerët që ka pasur gjatë karrierës, duke theksuar se secili ka ndikuar në zhvillimin e tij.

Momentet më emocionuese erdhën kur ai foli për familjen.

“Të kesh një vëlla më të madh që të mbështet kaq shumë nuk ka çmim. Edhe prindërit e mi më kanë mbështetur gjithmonë, më kanë çuar në stërvitje dhe nuk më kanë ushtruar kurrë presion për t’u bërë futbollist. Flisnim vetëm për mënyrën se si mund të përmirësohesha dhe kjo më ka ndihmuar gjatë gjithë karrierës”, rrëfeu anglezi.

Në fund, Kane iu drejtua bashkëshortes së tij, Katie Goodland, të cilën e cilësoi shoqen e tij më të mirë dhe mbështetësen më të madhe.

“Ti gjithmonë dëshiron më të mirën për mua dhe ke sakrifikuar shumë. Ky është një trofe për ne të dy. Faleminderit, të dua. Do ta festojmë së bashku”, tha ai.

Kane e mbylli fjalimin me një mesazh frymëzues për të gjithë ata që ndjekin ëndrrat e tyre: “Duhet të besosh te vetja. Rruga ime nuk ka qenë e drejtë, kam kaluar shumë ulje-ngritje dhe shpresoj që historia ime të shërbejë si frymëzim për të tjerët”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco