Harry Kane rrëfen emocionet pas triumfit me “Topin e Artë

Harry Kane është kurorëzuar me “Topin e Artë” për vitin 2026, pas një sezoni të jashtëzakonshëm të zhvilluar me Bayern Munichun dhe përfaqësuesen e Anglisë.

Çmimi iu dorëzua sulmuesit anglez nga legjenda braziliane Ronaldo Nazário, gjatë ceremonisë së zhvilluar në Londër. Në të njëjtën mbrëmje, Kane u vlerësua edhe si golashënuesi më i mirë.

Të lidhura

None found

Kapiteni i Anglisë realizoi mbi 50 gola për Bayern Munichun gjatë sezonit të kaluar dhe luajti një rol të rëndësishëm në sukseset e klubit gjerman.

Me skuadrën bavareze, ai arriti të fitojë dy trofe, ndërsa me Anglinë u ngjit deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Turneun e përfundoi me medaljen e bronztë dhe gjashtë gola të shënuar.

Pas ceremonisë, Kane shprehu kënaqësinë për faktin që e mori këtë vlerësim në Londër. Ai falënderoi të gjithë votuesit dhe nënvizoi se çmimi erdhi si pasojë e përkushtimit të madh dhe ndihmës së bashkëlojtarëve.

“Për mua është diçka e veçantë ta fitoj këtë çmim në Londër. Përzgjedhja e lojtarit më të mirë këtë sezon ishte e vështirë, sepse niveli i konkurrencës ishte shumë i lartë. I falënderoj të gjithë ata që më votuan. Kam treguar se puna e palodhur shpërblehet”, deklaroi Kane.

Një pjesë të meritës për këtë arritje, sulmuesi ia atribuoi edhe trajnerit të Bayern Munichut, Vincent Kompany, i cili, sipas Kane, ndodhej në spital.

“Bashkëlojtarët e mi më kanë ndihmuar të bëhem një futbollist më i mirë. Gjatë stërvitjeve ata më kanë nxitur gjithmonë që të përmirësohem. Dua t’ia kushtoj këtë çmim edhe trajnerit Kompany, i cili është në spital. Me udhëheqjen e tij jam rritur si lojtar dhe si person”, shtoi ai.

Në përfundim, Kane e ndau këtë vlerësim edhe me shokët e skuadrës në përfaqësuesen angleze, duke folur për krenarinë që ndien kur përfaqëson vendin e tij.

“Ky është gjithashtu një çmim për bashkëlojtarët e mi në Angli. Është nder të luaj për vendin tim dhe të mbaj shiritin e kapitenit”, përfundoi fituesi i “Topit të Artë” 2026.


Quantcast