Gazetari Armand Shkullaku, deklaroi se dhuna ndaj protestuesve dhe arrestimet që, sipas tij, vijojnë edhe pas përfundimit të përplasjeve në rrugë, tregojnë përshkallëzimin e situatës në vend.
Në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Shkullaku e cilësoi këtë situatë si një ‘luftë të shpallur’, duke akuzuar policinë për ushtrim represioni ndaj qytetarëve dhe duke kërkuar që opozita të identifikojë personat që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
Gazetari solli si shembuj pamjet e personave që, sipas tij, janë goditur edhe pasi kanë rënë në tokë, si dhe të të rinjve që janë shoqëruar nga lokalet apo janë dhunuar në ambiente publike.
Sipas Shkullakut, policët nuk punojnë për qytetarët, por paradite punojnë për Ramën e pasdite për krimin.
‘Janë trajnuar policë, të cilët, më shumë sesa për Ramën, duhet të përgjigjen: çfarë mbrojnë ata? Ata punojnë paradite për policinë, ndërsa pasdite punojnë për bosët e krimit’, tha ai.
‘Unë thashë që kjo po qartësohet në çdo sekondë si një luftë. Sepse këtu, pasi mbaron përballja, çfarë ndodh? Ndodh represioni policor që nuk e ka bërë as Sigurimi i Shtetit. U shkojnë nëpër lagje, u shkojnë nëpër shtëpi, u shkojnë nëpër lokale dhe i terrorizojnë.
A e keni parë pamjen kur i marrin nga lokalet, ndërsa janë duke pirë kafe? A e keni parë si i marrin kalamajtë? Pasi kanë rënë në tokë, i godasin përsëri me shkopinj gome. A e keni parë një fëmijë duke ngrënë sanduiç, të cilit shkojnë dhe e godasin përsëri? A i keni parë ata që janë të shtrirë në tokë, të cilët, pasi i godasin, u hipin sipër dhe u thyejnë këmbët?
Atëherë, kjo është një luftë e shpallur. Nuk po flas për atë të vijës së parë, pra për përplasjen: ti gjuajte me shkop gome, unë gjuajta me gurë; ti gjuajte me gaz, unë do të sjell një fishekzjarr për të të hedhur. Nuk po flas për këtë. Po flas për dhunën që pason më pas. Dhe ajo është një ftesë e hapur”,- tha Shkullaku ndër të tjera.












