Sulm ndaj gazetares së Klan News, Glidona Dacit në mes të protestës, efektivi i “Shqiponjave” i hedh spraj në sy


Dhuna ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës, këtë herë para kamerave dhe gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, dhe operatori i saj janë sulmuar nga një efektiv i forcave “Shqiponja”, teksa po raportonin nga protesta. Efektivi u ka hedhur të dyve spraj me piper në sy, ndërsa ka shtyrë edhe operatorin që po filmonte ngjarjen.
Një moment që ngre pikëpyetje serioze mbi sjelljen e efektivëve të policisë ndaj gazetarëve dhe respektimin e lirisë së medias. Në vend që të garantojnë sigurinë dhe të lejojnë gazetarët të kryejnë detyrën e tyre, uniformat blu gjenden sërish në qendër të akuzave për përdorim force ndaj përfaqësuesve të medias.
Spraji në sytë e gazetares dhe operatorit nuk është thjesht një incident gjatë protestës. Është një ngjarje që kërkon përgjigje të qarta nga Policia e Shtetit. Çfarë e justifikoi përdorimin e sprajit ndaj dy gazetarëve që po raportonin në terren? A përbënin ata ndonjë kërcënim që të justifikonte një reagim të tillë? Dhe mbi të gjitha, a do të ketë përgjegjësi për efektivin e përfshirë?
Gazetarët kanë të drejtë të raportojnë për atë që ndodh në protesta, edhe kur situata është e tensionuar. Puna e tyre është të informojnë publikun, të dokumentojnë ngjarjet dhe të bëjnë të dukshme atë që ndodh në terren. Pengimi apo sulmi ndaj tyre cenon jo vetëm sigurinë e gazetarëve, por edhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
Kur një efektiv përdor sprajin ndaj gazetares dhe operatorit gjatë një transmetimi live, përgjegjësia nuk mund të mbyllet me heshtje institucionale. Policia e Shtetit duhet të sqarojë rrethanat e ngjarjes, të identifikojë përgjegjësit dhe të bëjë të ditura masat që do të ndërmerren.
Uniforma policore nuk mund të shërbejë si mburojë për veprime të pajustifikuara. Autoriteti i policisë buron nga ligji dhe çdo përdorim i forcës duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional.
Në një shoqëri demokratike, policia nuk mund të sillet sikur kamerat janë armiku dhe gazetarët objektiva. Kur preket media, nuk është vetëm gazetari që vihet në rrezik, por edhe e drejta e publikut për të parë dhe dëgjuar atë që ndodh.
360grade.al


















