Një e moshuar është plagosur mëngjesin e sotëm pasi është përplasur nga një automjet në aksin rrugor Fier–Patos, pranë ish-parkut të automjeteve në Fier.
Sipas të dhënave paraprake, e moshuara ndodhej në këmbë në anë të rrugës kur është goditur nga një automjet tip “Volkswagen Passat”. Pas përplasjes, drejtuesi i makinës ka ndaluar, ndërsa gruaja është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit për të marrë ndihmë mjekësore.
Burime spitalore bëjnë me dije se e plagosura ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e aksidentit kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat po kujdesen për menaxhimin e trafikut në këtë segment, ku raportohet për qarkullim të dendur. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.