Akuzohet për vjedhje me dhunë në Spanjë, arrestohet 31-vjeçari në Muriqan, pritet ekstradimi
Një 31-vjeçar nga Mamurrasi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare në Muriqan, teksa po dilte nga Shqipëria.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi u bë në kuadër të kontrolleve për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe falë shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën.
I riu, shtetas shqiptar me inicialet A. T., i njohur edhe me dy identitete të tjera, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi. Gjykata e Instruksionit nr. 4 në Sabadell të Spanjës, me vendim të datës 28 nëntor 2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Pas kapjes në pikën kufitare të Muriqanit, 31-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të cilat kryen arrestimin e tij të përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë, vijon procedurat për ekstradimin e tij.




