Nafta pranë 115 dollarëve, tregjet presin vendimet e Fed dhe BQE për interesat

Çmimet e naftës mbeten pranë niveleve më të larta të gjashtë muajve, ndërsa bankat kryesore qendrore përgatiten të marrin vendime për normat e interesit, në një moment kur presionet inflacioniste dhe pasiguria gjeopolitike po ndikojnë tregjet financiare.
Nafta Brent zbriti me 0.7% të martën, më 27 tetor, në 114.95 dollarë për fuçi, pas sinjaleve për një përparim të mundshëm diplomatik në konfliktin me Iranin. Megjithatë, rreziku i ndërprerjeve të furnizimit me energji mbetet i lartë.
Sipas Reuters, Rezerva Federale amerikane (Fed), Banka Qendrore Europiane (BQE) dhe Banka e Japonisë pritet t’i mbajnë të pandryshuara normat bazë të interesit në mbledhjet e kësaj jave, por shqetësimet për inflacionin kanë shtuar pritshmëritë për një tjetër rritje të interesave në SHBA gjatë dhjetorit.
BQE pritet të ruajë normën bazë në 2.5% në mbledhjen e së enjtes, ndërsa Fed do të shpallë vendimin të mërkurën. Banka e Japonisë, nga ana tjetër, pritet të mbajë interesat në 1.25%, por mund të sinjalizojë shtrëngim të mëtejshëm monetar për shkak të presioneve mbi çmimet.
Rendimenti i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë amerikane arriti në 4.992%, pranë nivelit 5%, ndërsa dollari u forcua përkundrejt monedhave kryesore.
Euro u tregtua rreth 1.1171 dollarë, në nivelin më të ulët të afro dy javëve, e ndikuar edhe nga shqetësimet për financat publike të Francës. Në tregjet aziatike, ndërkohë, optimizmi për investimet në inteligjencën artificiale mbështeti bursat. Indeksi KOSPI i Koresë së Jugut u rrit me 3.9%, ndërsa Nikkei i Japonisë fitoi 1.9%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









