“Fireworks 3”/ 51-vjeçari në Tiranë kapet me 1853 fishekzjarre, dyshohet se furnizonte protestuesit e dhunshëm
TIRANË – Policia e Tiranës ka zbuluar një ambient ku magazinoheshin lëndë piroteknike në kuadër të operacionit “Fireworks 3”.
Në pranga ka rënë shtetasi D. K., 51 vjeç, i cili administronte një magazinë në rrugën “Çamëria”, pranë zonës së njohur si “Tregu Çam”. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan 1853 fishekzjarre.
Sipas Policisë, 51-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e këtyre mallrave dhe as dokumentacion që të vërtetonte blerjen e tyre.
Nga hetimet dhe informacionet e siguruara, policia dyshon se i arrestuari u ka shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime të dhunshme gjatë tubimit të zhvilluar më 24 tetor 2026.
Një ditë më parë, Policia e Tiranës sekuestroi 47 pako me fishekzjarre në një banesë në rrugën “Zela”, të cilat, sipas hetimeve, dyshohet se mbaheshin për t’u shitur për qëllime të kundërligjshme.




