Qeveria propozon uljen e pragut të xhiros vjetore për bizneset që kanë detyrim për t’u regjistruar në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Sipas relacionit shoqërues të draftit, ndryshimi përfshin në skemë 17,500 biznese të reja. Deri më tani, detyrimin për t’u regjistruar në skemën e TVSH e kanë vetëm bizneset me xhiro vjetore mbi 10 milionë lekë, teksa bizneset me xhiro 5 deri në 10 milionë ligji u mundëson regjistrimin vullnetar, por jo të detyrueshëm.