Barra fiskale ndaj bizneseve rritet ndjeshëm sipas propozimit të qeverisë në paketën për buxhetin e vitit të ardhshëm. Qeveria propozon ndërhyrjen te ligji i tatim fitimit duke e rritur atë nga 15 në 17 për qind. Efekti financiar në buxhet, sipas relacionit shoqërues shkon mes 45 deri në 50 milionë euro shtesë. Ndërhyrje me rritje propozohet edhe në tatimin mbi të ardhurat nga dividenti, ose të ardhurat nga fitimet e kompanive korporative. Qeveria propozon që tatimi i dividentit të rritet nga 8 në 15 për qind, me një efekt shtesë në buxet nga 25 deri në 35 milionë euro në vit. Relacioni shoqërues për rritjen e tatim fitimit nga 15 në 17 për qind thekson se objektiv është përshtatja e politikës tatimore me objektivat afatmesës të politikave fiskale për të taksuar më shumë kapitalet dhe më pak punësimin.