9-mujori, aksidentet rrugore rritje me 6%, Tirana kryeson, Durrësi me rritjen më të fortë
Numri i aksidenteve rrugore në vend është rritur me 6% në nëntë muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-shtator janë regjistruar 1,090 aksidente, nga 1,028 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga aksidentet kanë mbetur të vrarë ose të plagosur 1,508 persona, nga 1,441 në janar-shtator 2025, me një rritje prej 4.6%.
Tirana vijon të ketë numrin më të lartë të aksidenteve rrugore, me 401 raste në nëntë muaj, nga 306 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 31%. Kryeqyteti përqendron rreth 37% të aksidenteve të regjistruara në shkallë vendi. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur në Tiranë arriti në 493, nga 382 një vit më parë.
Rritja më e fortë e aksidenteve në vlerë absolute, pas Tiranës, është regjistruar në Durrës, ku numri i tyre arriti në 117, nga 67 në janar-shtator 2025, me një zgjerim prej gati 75%. Edhe numri i personave të aksidentuar është rritur ndjeshëm, nga 100 në 160.
Në të kundërt, disa qarqe kanë shënuar rënie të aksidenteve. Në Shkodër, numri i tyre është ulur nga 81 në 49, ose me rreth 40%, ndërsa në Dibër ka zbritur nga 21 në 9 raste. Rënie është regjistruar edhe në Berat, nga 23 në vetëm 4 aksidente, si dhe në Korçë, nga 99 në 81.
Shtatori 107 aksidente, drejtuesit e mjeteve përgjegjës për mbi 90% të rasteve
Vetëm gjatë muajit shtator 2026 janë regjistruar 107 aksidente rrugore, nga 102 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me një rritje prej 4.9%. Ndërkohë, numri i personave të vrarë dhe të plagosur ka rënë nga 135 në 130.
Sipas INSTAT, 90.7% e aksidenteve të shtatorit kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, që lidhet me mosrespektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë shpejtësinë, sinjalistikën dhe manovrat e gabuara.
Grup-mosha 0-24 vjeç rezulton me peshën më të lartë në aksidentet e regjistruara, duke përbërë 27.1% të totalit.
Sipas shpërndarjes gjatë javës, e premtja ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve, me 16.8% të totalit, ndërsa e shtuna ka pasur peshën më të ulët, me 11.2%. Sa i përket orarit, aksidentet janë përqendruar më shumë në mbrëmje. Rreth 26.2% e tyre kanë ndodhur gjatë intervalit 19:00-24:00.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









