Vendosni fjalën kyçe....

Tornadoja godet kantierin e ndërtimit në Turqi, humbin jetën katër punëtorë



Katër punëtorë ndërtimi humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pasi një tornado goditi papritur një kantier ndërtimi në Antalia, në jug të Turqisë, mbrëmjen e së hënës. Erërat e fuqishme ngritën në ajër dy kontejnerë që shërbenin si ambiente akomodimi për punëtorët dhe rrëzuan një vinç të lartë ndërtimi, përcjell Euronews.

Sipas zyrës së guvernatorit, dy prej punëtorëve humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital. Rrëzimi i vinçit nuk shkaktoi viktima.

Guvernatori i Antalias, Hulusi Şahin, e përshkroi tornadon që goditi zonën e Kepezit si një fenomen atmosferik jashtëzakonisht lokal, duke theksuar se në pjesë të tjera të qytetit nuk ishin raportuar kushte të ngjashme të motit.

Ndërkohë, i njëjti sistem atmosferik solli reshje të dendura shiu në Stamboll, ku u përmbytën rrugë në zonat Pendik dhe Tuzla. Në nënkalimin e Kaynarcës, një baba dhe vajza e tij mbetën të bllokuar në makinën e tyre për shkak të nivelit të lartë të ujit, por kalimtarët ndërhynë për t’i shpëtuar. Përmbytjet detyruan gjithashtu mbylljen e autostradës D-100.

Ngjarja vjen vetëm 12 ditë pas reshjeve rekord që goditën zonën e Stambollit më 14 tetor, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave.