Paketa Fiskale 2027/ Rama i vë lakun në fyt turizmit: Rrit TVSH-në nga 6% në 10%, godet bujtinat dhe shtrenjton pushimet

Paketa Fiskale 2027/ Rama i vë lakun në fyt turizmit: Rrit TVSH-në nga 6% në 10%, godet bujtinat dhe shtrenjton pushimet

11:33, 27/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria propozon rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për shërbimet turistike nga 6% në 10%, një masë që do të prekë hotelet, resortet dhe strukturat e certifikuara të agroturizmit në fshatra. Ndryshimi parashikohet në projektpaketën fiskale për vitin 2027 dhe, nëse miratohet, do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Sipas projektligjit për ndryshimet në ligjin për TVSH-në, rritja me 4 pikë përqindjeje përfshin shërbimet e akomodimit dhe shërbimet e restoranteve në strukturat e certifikuara të agroturizmit, me përjashtim të pijeve, si dhe shërbimet e tjera që përfitojnë aktualisht nga norma e reduktuar. Kjo masë rrezikon të rëndojë mbi bizneset turistike, ndërsa rritja e çmimeve mund t'u kalojë drejtpërdrejt turistëve. Më të ekspozuara janë bujtinat e vogla familjare në zonat rurale, të cilat mund të përballen me vështirësi serioze financiare, deri në rrezikun e falimentimit.

Në një kohë kur bizneset turistike përballen me konkurrencën rajonale dhe nevojën për investime të vazhdueshme, qeveria zgjedh të rrisë taksën mbi këto shërbime, në vend që të ruajë lehtësitë fiskale që synojnë të mbështesin zhvillimin e sektorit.

Argumenti i Ministrisë së Financave është se turizmi ka arritur një nivel zhvillimi që mund të përballojë një kontribut më të lartë në buxhetin e shtetit. Por për bizneset, veçanërisht për strukturat e vogla familjare të agroturizmit, mbetet pikëpyetje se sa hapësirë kanë për të përballuar kostot e reja pa rritur çmimet apo frenuar investimet.

Fatura do të shkojë te pushuesit

Rritja e TVSH-së nga 6% në 10% mund t'i detyrojë operatorët turistikë të rishikojnë çmimet e akomodimit dhe të paketave turistike. Nëse bizneset nuk arrijnë ta përthithin të gjithë koston shtesë, një pjesë e saj mund t'u kalojë klientëve, duke e bërë më të shtrenjtë pushimin në Shqipëri.

Pasojat mund të ndihen veçanërisht në agroturizëm, ku bizneset familjare në zonat rurale varen nga mundësia për të ruajtur çmime konkurruese dhe për të investuar në zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Ndërkohë, rritja e TVSH-së për turizmin nuk është masa e vetme e propozuar. Paketa Fiskale 2027 parashikon edhe rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, si dhe të tatim-fitimit të korporatave nga 15% në 17%.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, rritja e TVSH-së për turizmin parashikohet të sjellë rreth 614 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit.

Kështu, ndërsa qeveria synon të mbledhë më shumë të ardhura, bizneset turistike përballen me një barrë më të lartë fiskale, ndërsa konsumatorët rrezikojnë të paguajnë më shtrenjtë për pushimet në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco