Bojkoti i avokatëve që prej fillimit të shtatorit të kaluar vijon të bëjë jofunksionale Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, e cila vijon insistimin për rregulloren censuruese të miratuar verën e kaluar.
Edhe këtë të martë ka dështuar gjyqi i radhës ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Shkak është bërë mungesa e avokatëve, ndërsa në seancë nuk u paraqitën as mbrojtësit ligjorë të ndihmës juridike falas të kërkuar nga Gjykata.
Megjithatë Veliaj përmes një kërkese të posaçme e ka bërë të qartë se i vetmi avokat me të cilin kërkon të mbrohet është Plarent Ndreca, duke refuzuar kështu alternativën e vendosur më herët nga trupa gjykuese e GJKKO.
Gjyqtarët shtynë për më 3 nëntor seancën e radhës duke vijuar pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, ndërsa këtë herë nuk vendosën gjoba për shkak se janë vënë në dijeni të një padie në Gjykatën Administrative të Apelit kundër vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot të përgjithshëm dhe masa disiplinore ndaj kujtdo që e shkel këtë vendim.
Ka qenë pikërisht Shoqata e Avokatëve Anti-korrupsion, e drejtuar nga Ndue Pjetra, e cila në Gjykatën Administrative të Apelit kërkon fillimisht pezullimin e vendimit të Dhomës deri marrjen e një vendimi përfundimtar. Sipas kësaj shoqate Dhoma e Avokatisë ka tejkaluar kompetencat në shkelje të ligjit, ka marrë një vendim jo proporcional, me bojkotin e masave të sigurisë krijon rrezikun e mbetjes së personave të privuar nga liria pa mbrojtje juridike, dhe me sanksionimin disiplinor të një avokati cenon pavarësinë e tij.
Konflikti mes Gjykatës së Posaçme dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë nisi pas hyrjes në fuqi, më 1 shtator me firmë të Erion Banit, të rregullores së re që ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit. Avokatët kundërshtojnë ndalimin, me argumentin se u pengon ushtrimin e profesionit, ndërsa gjykata këmbëngul se rregulli zbatohet për të gjithë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe gazetarët. Nga ana tjetër shoqatat e gazetarëve e kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese rregulloren.
-
Turp, dhe faqezi per Shqiperine pezullojne afatet e paraburgimit sipas qejfit. Drejtesia e makjavelikut te Tiranes!
Përgjigju









Komente
Komento