Pagat mbi 700 mijë lekë do të tatohen me 32%, nga 23% aktualisht

Individët me paga bruto mbi 700 mijë lekë në muaj do të përballen me një normë më të lartë tatimi mbi të ardhurat, që do të arrijë në 32%, nga 23% që është aktualisht.
Paketa e re fiskale parashikon vendosjen e një shkalle të tretë tatimore për pagat e larta, ndërsa për pagat nga 200 mijë deri në 700 mijë lekë parashikohet lehtësim i barrës tatimore.
Ndryshimet janë pjesë e propozimeve për rishikimin e ligjit nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, që synojnë ndryshimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.
Sipas propozimit, për herë të parë do të vendoset një normë marxhinale tatimore prej 32% për pagat bruto mbi 700 mijë lekë në muaj, që korrespondon me një bazë tatimore vjetore mbi 8,040,000 lekë, pas aplikimit të zbritjes tatimore.
Norma e re prej 32% do të zbatohet vetëm mbi pjesën e të ardhurave që tejkalon pragun e përcaktuar dhe jo mbi të gjithë pagën. Aktualisht, të ardhurat mbi kufirin e fashës së parë tatohen me normën 23%, pa një shkallë të tretë për pagat më të larta.
Në relacionin shoqërues të ndryshimeve, Ministria e Financave argumenton se vendosja e shkallës së tretë synon forcimin e progresivitetit të sistemit tatimor, duke e lidhur barrën fiskale me aftësinë paguese të individëve.
Ndërkohë, për pagat më të ulëta se 700 mijë lekë parashikohet lehtësim i tatimit, përmes rritjes së kufirit të fashës së parë tatimore.
Aktualisht, norma 23% zbatohet mbi pjesën e pagës bruto që tejkalon 200 mijë lekë në muaj. Me ndryshimet e propozuara, ky prag do të rritet në 300 mijë lekë, duke zgjeruar fashën e të ardhurave që tatohen me normën 13%.
Për pagat bruto nga 300,001 deri në 700,000 lekë në muaj, norma marxhinale e tatimit do të jetë 23%.
Sipas relacionit, kjo ndërhyrje synon lehtësimin e barrës tatimore për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar, ndërsa individët me të ardhura më të larta do t’i nënshtrohen një norme më të lartë tatimore.
Me formulën e re, tatimi progresiv mbi të ardhurat nga punësimi do të ketë tri shkallë, të përcaktuara sipas bazës tatimore vjetore:
Kufijtë e mësipërm i referohen bazës tatimore vjetore pas zbritjes tatimore të parashikuar në ligj, ndërsa pragjet mujore prej 300 mijë dhe 700 mijë lekësh i referohen pagës bruto.
Propozimet janë pjesë e paketës së re fiskale dhe duhet të miratohen përpara se të hyjnë në fuqi.
Ulet barra tatimore për pagat mbi 200 mijë lekë, pragu i tatimit 23% rritet në 300-700 mijë lekë
Taksa shtesë 85 mln euro për bizneset; tatimfitimi bëhet 17%, dividendi rritet në 15%, nga 8% sot
Paketa fiskale, TVSH 6% për ushqimet, 10% për turizmin, norma e përgjithshme rritet në 21%
TVSH te bizneset, pragu i detyrueshëm do të ulet në 5 mln lekë; Në skemë shtohen 17,5 mijë subjekte
Propozimi, pasqyrat financiare do dorëzohen vetëm në QKB, tatimet do i marrin automatikisht
Parapagimi i tatim fitimit konsiderohet detyrim tatimor, do zbatohen procedurat e mbledhjes me forcë
Paketa, propozohet rritje për akcizën e duhanit 4.5%, skedulimi i ri deri më 2033 e rrit 32%
Paketa Fiskale 2027, regjimi i TVSH-së për Bursën e Energjisë zgjatet deri në anëtarësimin në BE
Paketa Fiskale 2027, sponsorizimet, zbritjet tatimore do të llogariten mbi xhiron
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.











