Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Policinë e Shtetit për ushtrim presioni ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë, duke pretenduar se shoqërimet dhe marrja në pyetje e tyre synojnë t’i frikësojnë dhe t’i largojnë nga protestat.
Në një deklaratë për mediat, Berisha i cilësoi veprimet e policisë si shkelje të Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor frikën për të ruajtur pushtetin, ndërsa paralajmëroi se reagimi qytetar do të vijojë.
“Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet, në shkelje të të gjitha ligjeve, po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore”, u shpreh kreu i PD-së.
Sipas Berishës, marrja e deklarimeve nga qytetarët për pjesëmarrjen në tubime paqësore bëhet pa shkaqe ligjore dhe synon të krijojë klimë frike. Ai e krahasoi Ramën me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke pretenduar se kryeministri shqiptar po ndjek metoda të ngjashme për të mbajtur pushtetin.
“Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar”, deklaroi Berisha.
Në përfundim të reagimit, kryedemokrati ashpërsoi gjuhën ndaj kryeministrit, duke e krahasuar atë edhe me ish-diktatorin rumun Nicolae Çaushesku, i cili u rrëzua nga pushteti pas revoltës popullore të vitit 1989.
“Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen”, përfundoi Berisha.
Deklaratat vijnë në një kohë kur protestat studentore dhe qytetare kundër qeverisë vijojnë, ndërsa opozita ngre akuza për përdorim të paligjshëm të forcës dhe presion ndaj pjesëmarrësve në tubime.