Vendosni fjalën kyçe....

Kurti kërkon raport brenda 54 orëve për vrasjen e Arlinda Zekajt: Të identifikohen përgjegjësitë institucionale



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë që brenda 54 orëve të paraqesin një raport të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Kërkesa u bë gjatë inaugurimit të Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë, ku Kurti iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me ngjarjen.

Kreu i qeverisë theksoi se raporti duhet të shqyrtojë mënyrën se si kanë funksionuar institucionet dhe të evidentojë mangësitë e mundshme që mund të kenë ndikuar në këtë rast. Sipas tij, analiza nuk duhet të kufizohet vetëm te rrethanat e vrasjes, por duhet të përfshijë edhe përgjegjësitë e mundshme të institucioneve përkatëse.

Kurti ngriti gjithashtu shqetësimin për rastet e tjera të dhunës ndaj grave në Kosovë, duke theksuar se shumë prej tyre vazhdojnë të përballen me kërcënime edhe pasi e kanë raportuar dhunën.

Sipas kryeministrit, nevojitet një vlerësim më i gjerë i mënyrës se si trajtohen këto raste, për të identifikuar mangësitë në reagimin institucional dhe masat që duhen marrë për të garantuar sigurinë e viktimave.