Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë të ditur se 1500 familje janë shpallur fituese të programit të kredive të buta për blerjen e një banese.
Përmes një postimi, Veliaj njoftoi se i ka propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës miratimin e plotë të listës së përfituesve në mbledhjen e parashikuar për 29 tetor. Sipas tij, ky vendim do t’u mundësojë familjeve të përfitojnë nga programi për të përballuar blerjen e një shtëpie të re.
Në reagimin e tij, kryebashkiaku përmendi edhe vështirësitë që, sipas tij, po has në ushtrimin e detyrës, duke iu referuar izolimit dhe pamundësisë për të zhvilluar takime pune me stafin e bashkisë.
“Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë!”, shkruan Veliaj.
Ai u shprehu urimet familjeve përfituese, duke theksuar se e kupton gëzimin që sjell mundësia për të blerë një banesë të re.