Ka përfunduar ndërtimi i 5 kilometrave të parë të rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa, që lidhin Kombinatin me Pezën.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e punimeve në 9 kilometrat e ardhshëm, ndërsa për segmentin e fundit deri në Plepa gara pritet të hapet brenda mesit të muajit nëntor.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili tha se të 10 kilometrat e mbetur deri në Plepa janë të financuar dhe se po përgatitet dokumentacioni për nisjen e procedurës së konkurrimit.
“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat–Plepa. Tashmë, 5 kilometrat e parë, që të çojnë deri në Pezë, janë të përfunduar dhe janë marrë në dorëzim edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Lajmi i mirë është që ditën e djeshme Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave pasues”, u shpreh Karakaçi.
Sipas ministrit, përfundimi i këtij aksi do të krijojë një alternativë tjetër për lidhjen e Tiranës me Durrësin, duke lehtësuar qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i automjeteve drejt bregdetit rritet.
“Ky aks është i rëndësishëm, sepse së pari është një rrugë alternative që të çon deri në Durrës, shumë e përdorur sidomos gjatë sezonit turistik”, deklaroi ministri.
Karakaçi theksoi se rruga do të përmirësojë gjithashtu aksesin e zonave bujqësore me dy qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin.
Ai vlerësoi edhe potencialin turistik të territorit, duke nënvizuar se investimi pritet të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonave përgjatë aksit dhe në rritjen e vlerës së pronave.
“Kemi një zonë bujqësore, për të cilën është shumë i rëndësishëm aksesi me qytetet kryesore, Tiranën dhe Durrësin. Është gjithashtu një zonë piktoreske. Bëjmë edhe rritjen e vlerës së pronës për gjithë këtë zonë dhe këtë segment”, përfundoi Karakaçi.